Gazetari dhe analisti Berat Buzhala ka reaguar me ironi pas raportimeve se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë hequr masën “Non Grata” ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.
Në një postim në rrjetet sociale, Buzhala ka shkruar shkurtimisht: “Rikthehet bisha 🤣”, duke lënë të kuptohet se Berisha po rikthehet fuqishëm në skenën politike shqiptare.
Sipas tij, vendimi vjen në një moment kur shumëkush e konsideronte liderin historik të Partisë Demokratike në fundin e karrierës së tij politike. Buzhala kujton se Berisha kaloi një periudhë të vështirë, me protesta në rrugët e Tiranës dhe me zhvillime që, sipas tij, rrezikonin seriozisht edhe vetë ekzistencën e Partisë Demokratike.
“ShBA i ka hequr Non Gratën Sali Berishës, kur ky ishte në pikën më të ulët të tij. Protesta në rrugët e Tiranës po e rrezikonin seriozisht ekzistencën e Partisë Demokratike. Heqja e Non Gratës i jep një boost Berishës dhe PD-së”, ka shkruar Buzhala.
Ai shton se situata politike në Shqipëri mbetet e paqartë dhe dinamike, duke e përshkruar me fjalët: “Për momentin lugë është politika në Shqipëri”.
Në fund të reagimit të tij, Buzhala rikujton një qëndrim të mëhershëm lidhur me Berishën, duke theksuar se shumë herë është shpallur i përfunduar politikisht, por ka arritur të rikthehet sërish në qendër të vëmendjes.
“E kam thënë edhe më herët, Berishën llogariteni të vdekur politikisht, veç nëse ka vdekur edhe biologjikisht”, përfundon ai.
Reagimi i Buzhalës ka ngjallur diskutime të shumta në rrjetet sociale, me mbështetës dhe kritikë që po debatojnë mbi ndikimin që mund të ketë ky zhvillim në të ardhmen politike të Sali Berishës dhe të Partisë Demokratike në Shqipëri.