LDK-ja është e hapur që me LVV-në të bëjë një marrëveshje politike, të cilën nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri e përshkroi mbrëmë në Pressing në T7 si një “pako” që do t’i përfshinte të gjitha postet udhëheqëse dhe qeverisëse në vend. Tha se Vjosa Osmani s’bëhet problem dhe se “Kosova nuk mund të jetojë në kriza politike të vazhdueshme”.
Gazeta Express
“Jemi të interesuar ta largojmë lodhjen nga qytetari”. Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri mbrëmë në një intervistë në Pressing në T7 shprehu gatishmërinë e partisë më të vjetër në vend për një “marrëveshje politike pako” me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila do ta zgjidhte krizën politike dhe do t’i jepte fund një cilki të çrregullt zgjedhor.
Ai tha se “partitë politike duhet të bashkëpunojnë në një marrëveshje politike pako”. Kjo marrëveshje, tha ai, nuk duhet të jetë “e shkallëzuar” apo “me hapa”.
“Parimi i parë është: marrëveshja duhet me qenë gjithpërfshirëse. Nuk mundet me qenë selektive, e ndarë”, tha ai.
Haziri pohoi se marrëveshja duhet të përfshijë dakordimin për të gjitha postet udhëheqëse dhe qeverisëse në vend.
I pyetur për spekulimet se kryetari i LVV-së, Albin Kurti ka ndërmend t’ua ofrojë pozitën e kryeparlamentarit dhe disa poste në qeveri në këmbim të mbështetjes së propozimit të partisë së tij për President, Haziri tha se për ta “s’ka rëndësi ndarja e zyreve”.
“Për ne ka rëndësi që bashkëpunimi të normohet në këtë vend”, tha ai.
Duke përmendur “kapacitetet” e LDK-së në politikën e jashtme, në infrastrukturë, në bujqësi, por edhe në Presidencë, ai tha se aty ku do të marrin përgjegjësi, do ta ushtrojnë atë “në mënyrën më të mirë”.
Për LDK-në, Haziri tha se “është shumë i rëndësishëm që leximi i drejtë i këtij rezultati të bëhet nga të gjitha partitë politike”.
“Kërkohet që partitë politike, përfshirë partinë e parë, të sillen konform rezultatit dhe të hyjnë në funksion të një bashkëpunimi dhe të arrihet një marrëveshje pako”, theksoi ai.
LVV-ja, sipas të dhënave të KQZ-së, ka 47.13% të votave (53 ulëse në Kuvend), ndërsa LDK-ja 16.69% (18 ulëse).
Nëse nuk ka marrëveshje, Haziri tha se konstituimi i Kuvendit mund të bëhet “sipas rezultatit zgjedhor”. Sipas Kushtetutës, Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar, që në këtë rast është ai i LVV-së.
Presidenti i ri – moszgjedhja e të cilit u bë arsyeja pse vendi më 7 qershor mbajti zgjedhje sërish, të tretat brenda rreth një viti e gjysmë – Haziri kujton se “duhet të zgjidhet në bazë të një marrëveshjeje”.
“Kjo marrëveshje do të mundësonte që vendi t’i kthehet një stabiliteti, një normaliteti politik dhe si hap i parë i domosdoshëm pas kësaj është një agjendë politike e rëndësishme për këtë vend”, tha Haziri.
Ai foli më hapur se zakonisht për një marrëveshje të mundshme mes LDK-së dhe LVV-së, por parlajmëroi se “çdo dalje nga një marrëveshje jashtë pakos është reciklim i krizës dhe Kuvendin e çon drejt një dështimi të ri”.
Haziri tha se “LDK-ja nuk e ka pasë, as nuk e ka asnjë problem me ndonjë emër të përveçëm”. Tha gjithashtu se Vjosa Osmani, të cilën LVV-ja nuk e mbështeti për të qëndruar në karrigen e Presidentes edhe për një tjetër mandat, nuk bëhet problem për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme.
“Nëse në këtë rast mendohet se zonja Osmani ka qenë dhe mund të jetë problem për shkak të nominimit për President, unë ju siguroj edhe sot që vetë ajo e ka konfirmuar që nuk është asnjëherë emri i saj problem në arritjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi mes partive politike për t’i dhënë vendit stabilitet dhe normalitet”, tha ai.
Nënkryetari i LDK-së foli edhe për agjendën programore që duhet ta ketë qeverisja e re e vendit, duke përmendur rrugën e integrimit euroatlantik të Kosovës, ekonominë, energjinë, arsimin e shëndetësinë.
Autori i emisionit, Leonard Kërquki, i tha se ka spekulime se ai është “kumbar i një koalicioni të ardhshëm LDK-LVV”.
“Do të doja ta kisha një epitet që i afron palët, gjithmonë”, tha Haziri.
Ai përmendi kohën kur LDK-ja dhe LVV-ja ishin së bashku në opozitë dhe bashkëpunimin, më pas edhe opozitëbërjen e ashpër të partisë së Albin Kurtit kundër qeverisjes së LDK-së. Në këtë kontekst, Haziri tha se këto probleme “nuk ka kanë penguar që të bashkëpunojmë vetëm disa vite më pas”.
“Kosova nuk mund të jetojë në kriza politike të vazhdueshme”, tha ai.
Togfjalëshi i tij i njohur se “Presidenti kalon kah zyret e LDK-së” iu përmend Hazirit mbrëmë në Pressing dhe ai nuk hezitoi ta përsëriste atë.
“Për 26 vjet ka kalu. Nuk e di cila është arsyeja të thuash që s’kalon. Gjithmonë është hera e parë, por nuk besoj që tash është koha të thuhet kjo”, tha ai.