Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Avdullah Hoti, reagoi ndaj propozimit të nënkryetarit të partisë, Lutfi Haziri, për një marrëveshje të mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje, transmeton Gazeta Metro.
Hoti e ka cilësuar një qasje të tillë si eksperiment, duke lënë të kuptohet se nuk pajtohet me idenë e bashkëpunimit me partinë në pushtet.
Ai theksoi se rezultati i zgjedhjeve duhet të shërbejë si sinjal për rikthimin e LDK-së te baza e saj tradicionale dhe te parimet mbi të cilat është ndërtuar ndër vite.
“Rezultati ka dhënë një mesazh të qartë: LDK duhet të rikthehet fuqishëm te elektorati i saj tradicional, te vlerat e saj dhe te vizioni që e ka ndërtuar këtë parti. Duhet të luftojmë çdo mentalitet që dobëson aleancat tona historike dhe cenon rrugën euroatlantike të Kosovës. LDK nuk është pronë e askujt dhe nuk mund të jetë peng i interesave personale. LDK është më e madhe se secili individ, është një mision politik dhe historic”, shkroi Hoti.
Deklarata e tij vjen menjëherë pasi Haziri kishte propozuar një marrëveshje politike mes LDK-së dhe VV-së për tejkalimin e krizës institucionale dhe çështjen e zgjedhjes së presidentit.